Një nga konceptet fizike që Jungu e huazon për ta thelluar kuptimin e proceseve psikike është parimi i entropisë, parim ky që përshkruan tendencën e çdo sistemi të mbyllur për arritje të një gjendjeje ekuilibri të pandryshueshëm.
Jungu e huazon këtë logjikë në psiken njerëzore, duke e përfytyruar atë si një sistem të mbyllur relativ, ku ngarkesat psikike (diferencat, tensionet, polaritetet) tentojnë të ekuilibrohen. Kur kjo ndodh, individi arrin një qëndrueshmëri të brendshme. Por, ky proces nuk është i thjeshtë: përpara se të arrihet balancimi, ndodhin luhatje të dhunshme mes të kundërtave; për shembull, konflikte të brendshme mes dëshirës dhe detyrimit, mes lirisë dhe përgjegjësisë, mes frikës dhe guximit.
Shembull konkret: Një i ri që përballet me një krizë ekzistenciale gjatë rinisë (“stuhitë e rinisë” siç i quan Jungu), përpiqet të gjejë kuptim në një botë ku idealet ndryshojnë vazhdimisht. Nëpërmjet këtyre lëkundjeve të brendshme: konfliktet e mendimeve, përballja me autoritetin, lidhjet e dështuara romantike, ai arrin një bindje më të qëndrueshme, një “besim të konfirmuar”, qëndrim psikologjik që më pas mbetet i rrënjosur thellë. Ky qëndrim psikologjik, pra, funksionon si një temperaturë e balancuar: nuk ndryshon lehtësisht dhe është e vështirë të tronditet.
Jungu thekson se sa më shumë të mbyllet një sistem psikik nga ndikimet e jashtme, aq më lehtë manifestohet entropia. Kjo mund të shihet qartë në rastet e çrregullimeve mendore si skizofrenia, ku izolimi nga mjedisi dhe "mpirja e ndjenjave" janë pasojë e një procesi të brendshëm që ka arritur ekuilibrin, por në një formë degjenerative. Pra, entropia nuk është domosdoshmërisht shenjë paqeje; ajo mund të jetë edhe rrënim i energjisë krijuese, nëse ndodh pa zhvillim të mëtejshëm.
Në këtë kontekst, Jungu kritikon përdorimin e koncepteve kufizuese për të shpjeguar energjinë psikike, veçanërisht teorinë e Frojdit, i cili e konsideron “libidon” si një energji ekskluzivisht të natyrës seksuale. Për Jungun, ky është një reduktim i rrezikshëm i kompleksitetit të psikes.
Ai argumenton se një përkufizim i tillë nuk mjafton për të përshkruar larmishmërinë dhe intensitetin e përmbajtjeve të pavetëdijshme që vërehen në përvojën klinike dhe në manifestimet kulturore të njeriut.
Prandaj, Jungu propozon që energjia psikike të konceptohet si një potencial i brendshëm që mund të marrë forma të ndryshme dhe që matet në bazë të intensitetit të marrëdhënieve mes përmbajtjeve sesa përmes një “substance” të vetme si seksualiteti.
Kësisoj, analiza psikologjike nuk kufizohet më vetëm në përmbajtjen semantike, por bëhet një përpjekje për të kuptuar mënyrën se si këto përmbajtje bashkëveprojnë, formojnë polaritete dhe orientojnë lëvizjen e energjisë brenda vetes.
Entropia psikike, si një proces i barazimit të këtyre polariteteve, lind pikërisht nga ky rishikim: nuk është thjesht një qetësim i simptomave, por një transformim i tensionit të brendshëm në një formë më të qëndrueshme të vetëdijes. Kjo është, për Jungun, rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm të individit; një rrugë që kërkon përballje me konfliktin dhe jo shmangie të tij.
1. Jung, C. G. (1960). On the nature of the psyche (R. F. C. Hull, Trans.). Princeton University Press. (Original work published 1947)