Kur mbështetesh mbi krahët e breznive të elitës akademike dhe teologjike zvicerane, mendimet nuk shpiken; ato kujtohen.
Figura e Jungut nuk mund të kuptohet e shkëputur nga rrënjët e tij: një ndërlidhje brezash që ushqyen përkushtimin ndaj dijes, etikës dhe përjetimit të shenjtë. Babai i tij, Paul Akiles Jungu, një filolog dhe pastor me doktoratë mbi versionin arab të Këngës së Këngëve, i fali të birit lidhjen me librat e shenjtë. Shërbesa e tij në spitalin psikiatrik të Bazelit nuk ishte rastësi: nga përvojat e të atit në atë hapërsirë, djaloshi Karl mësoi të dëgjonte atë që nuk thuhej.
Gjyshi nga babai, Karl Gustav Jungu I, mjek, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe poet i respektuar (por i cili publikoheshte si anonim), përmendej në legjendën familjare si djali jashtëmartesor i gjeniut letrar, Gëtes. Me një disertacion summa cum laude mbi evolucionin e trupit të njeriut, ai mishëronte një racionalitet të lartë që nuk përjashtonte ndjeshmërinë letrare, një përzierje që më vonë do të bëhej themeli i psikologjisë analitike.
Nga nëna, Jungu trashëgoi një linjë të thellë teologjike dhe mistike. Samuel Prejsuerk, gjyshi i tij, ishte teolog dhe profesor i Dhiatës së Vjetër në Gjenevë, poet himnesh dhe udhëheqës i lartë kishtar. Fjala e shkruar dhe fjala e shenjtë ishin për të një: një instrument për të ndërtuar urë mes tokësores dhe hyjnores.
Por më të ndriturat nga këto rrënjë nuk janë gjithmonë të artikuluarat. Emilja Prejsuerk, nëna e Jungut, mbante ditarë rreth ngjarjeve orakullike në shtëpi, tërhiqej në dhomën e saj për të medituar mbi botën metafizike, dhe mori pjesë në eksperimentet spiritualiste që Jungu i zhvilloi gjatë studimeve. Ai e përshkroi më vonë si figurë misterioze, si derë për nga e pavetëdijshmja. Ajo nuk ishte thjesht nëna e tij: ajo ishte hija e parë që ai njohu, hija që e frymëzoi të formulojë më vonë konceptet e pavetëdijes kolektive, të intuitës dhe të hijes.
Krah saj qëndronte Augusta Faber, gjyshja që njihej si "shoqëruesja e shpirtrave". Në moshën njëzetvjeçare, kaloi tri ditë në një meditim të thellë, gjatë të cilit komunikoi me shpirtra dhe shpalli profeci. E përkujtuar me nder në familjen Prejsuerk, ajo mishëronte traditën e gruas së urtë që ruan portat e botës së padukshme; një arketip që Jungu nuk do ta konceptonte kurrë si abstrakt.
Në sfond, por jo më pak e rëndësishme, qëndron Sofi Frej, gjyshja nga babai, e bija e një kryetari bashkie në Bazel. Me elegancën e saj qytetare dhe miqësinë me mbesën e Gëtes, ajo i solli familjes Jung jo vetëm statusin shoqëror, por edhe një frymë të hollë kulturore. Ishte ajo që i hapi derën familjes drejt rretheve intelektuale të Bazelit, duke rrënjosur një prani që nuk ishte as mistike, as teologjike; por simfonike.
Kjo ndërthurje brezash, e dijes, e shpirtërores, e artit dhe e misterit, nuk shërben si dekor biografik, por si strukturë e brendshme e mendjes jungiane.
1. Bair, D. (2003). Jung: A biography. Little, Brown and Company.