Fenomeni i sinkronicitetit përbën një nga temat më intriguese në ndërthurjen mes psikologjisë dhe spiritualitetit. Edhe pse shpesh konsiderohet si pjesë e fushës “joshkencore” apo si “woo-woo”, në mënyrën ironike të të shprehurit të brezit Z, koncepti i sinkronicitetit ka zënë një vend të veçantë në teoritë e psikologjisë analitike të Karl G. Jungut. Në thelb, pyetja qendrore mbetet: A janë sinkronicitetet raste të ngarkuara me domethënie, apo thjesht iluzione të mendjes së etur për kuptim?
Karl G. Jungu, themeluesi i psikologjisë analitike, përkufizoi sinkronicitetin si një “një përkim domethënës i dy ose më shumë ngjarjeve, ku është e përfshirë diçka më shumë sesa thjesht probabiliteti i rastësisë” (Jung, 1952). Për të, sinkroniciteti nuk përfaqësonte thjesht rastësi, por një urë ndërmjet ngjarjeve të jashtme dhe proceseve të brendshme psikike, të cilat ndodhin në kohën e njëjtë por pa lidhje shkakësore të qartë.
Ky koncept u zhvillua si përgjigje ndaj kufizimeve të mendimit racional dhe shkencor që përjashtonte përjetimet subjektive. Jungu vlerësonte rolin e nënvetëdijes kolektive dhe strukturave arketipale në krijimin e përjetimeve që duket se tejkalojnë logjikën lineare. Sinkroniciteti, sipas tij, është njëra prej mënyrave nëpërmjet së cilës nënvetëdija jonë komunikon me ne, për të tërhequr vëmendjen tonë drejt çështjeve të pazgjidhura brenda nesh.
Edhe nga prizmi psikodinamik, përjetimi i një sinkroniciteti mund të interpretohet si një shfaqje e përmbajtjeve të pavetëdijshme që kërkojnë të bëhen të vetëdijshme.
Sipas Frojdit, rreth 90% e veprimeve tona burojnë dhe udhëhiqen nga pavetëdija, e strukturuar gjatë periudhës së hershme të fëmijërisë (Freud, 1915). Besimet e ngulitura gjatë kësaj periudhe (si përshembull ndjesia e sigurisë, imazhi për veten apo për pasurinë) shpesh ndikojnë në mënyrën se si ne e përjetojmë realitetin dhe se si e kuptojmë “rastësinë”.
Në këtë kontekst, sinkronicitetet mund të jenë pasqyra të këtyre strukturave të brendshme.
Për shembull, nëse një individ ka ndërtuar një besim të pavetëdijshëm se paraja është “e keqe”, por në vetëdije lakmon sigurinë ekonomike, një përkim i përsëritur që lidhet me temën e parasë (si p.sh. një bisedë e papritur për financat, një libër mbi pasurinë që shfaqet rastësisht) mund të jetë një shenjë që pavetëdija po kërkon të harmonizojë konfliktin e brendshëm mes dëshirës dhe strukturës së vjetër të të menduarit rreth kësaj teme.
Gjithashtu, studimet e fundit në neuropsikologji tregojnë se truri ynë është i ndërtuar për të kërkuar kuptim dhe për të dalluar modele, madje edhe atje ku nuk ka domosdoshmërisht ndonjë lidhshmëri reale. Kjo prirje njihet si apofenia: tendenca për të parë lidhje mes ngjarjeve të palidhura, e cila në disa raste mund të interpretohet si dëshmi për mekanizmin e sinkronicitetit, por në raste të tjera mund të prodhojë iluzione kognitive.
Megjithëse koncepti i sinkronicitetit shpesh keqinterpretohet si një privilegj “ezoterik” i një pakice “të ndriçuarish”, nuk mund të kundërshtohet që është përvojë universale. Të gjithë, në mënyra të ndryshme, kemi ndjerë se diçka “na flet” në momente të caktuara. Ajo që ndryshon është niveli i vetëdijes dhe aftësia për të kuptuar mesazhin. Për këtë arsye, sinkronicitetet mund të kuptohen si “fenerë psikikë” që ndriçojnë një rrugë, të cilën në mënyrë të pavetëdijshme e kemi zgjedhur por ende nuk e kemi ndërgjegjësuar.
Ato krijojnë një ndjenjë të thellë kuptimi dhe drejtimi, duke shërbyer si pikë kthese në periudha krize, ndryshimi apo tranzicioni. Ndjesia se “universi po më flet” mund të mos jetë shkencërisht e matshme, por është përjetim subjektivisht transformues për shumë individë. Në këtë kuptim, sinkroniciteti vepron si një akt simbolik, një ftesë për individin që të ndalet, të reflektojë dhe të ndërmarrë hapa drejt integrimit të vetes së tij të plotë.
Sinkroniciteti, qoftë si konstrukt psikologjik apo përvojë transpersonale, mbetet një fushë që i reziston reduktimit të thjeshtë. Dhe si përjetim, mbase do të vazhdon të qëndrojë në ndërthurjen midis një qasjeje kritike dhe një ndjeshmërie të hapur ndaj përvojës së brendshme. Nuk është e domosdoshme të përjashtojmë një perspektivë në favor të tjetrës; përkundrazi, kuptimi më i plotë lind nga dialogu mes arsyes dhe intuitës, mes shkencës dhe simbolit.
Por, duhet patur parasysh që mesazhet me vlerë shpirtërore nuk kufizohen në madhështinë e jashtme. Edhe elementët më të zakontë të realitetit mund të përmbajnë kuptime të thella dhe të shërbejnë si shembuj udhëzues. Sepse në fund të ditës, “Zoti nuk nguron të sjellë shembuj, qoftë edhe me mushkonjën, apo me diçka edhe më të vogël se ajo.” (El-Bekare, 2:26)
Sumeje Bajrami
1. Freud, S. (1915). E pavetëdijshmja. J. Strachey (red. & përkth.), Botimi i plotë i veprave psikologjike të Sigmund Freud-it (Vol. 14, fq. 159–190). Londër: Hogarth Press.
2. Jung, C. G. (1960). Sinkroniciteti: Një parim lidhës jokauzal. Princeton University Press.