Vetja (Selbst)
Në psikologjinë analitike, Vetja është arketipi qendror i psikës, tërësia e aspekteve të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të individit. Ndryshe nga egoja frojdiste (që i referohet kryesisht mendjes së vetëdijshme, unit që përjeton) Vetja jungiane është një realitet transpersonal. Ajo e tejkalon egon dhe vepron si parim organizues i psikës, analoge me një bërthamë psikike që synon tërësinë, integrimin dhe ekuilibrin të të kundërtave. Vetja pra, është njëkohësisht plani dhe qëllimi i jetës psikologjike: nuk është identiteti aktual i individit, por potenciali i tij i plotë, drejt të cilit ai është i orientuar në mënyrë teleologjike.
Struktura dhe funksioni
Vetja përmban të gjitha polaritetet psikike: mashkulloren dhe femëroren (anima/animus), dritën dhe hijen, të vetëdijshmen dhe të pavetëdijshmen. Funksioni i saj është teleologjik*; ajo e tërheq individin drejt vetë-realizimit përmes procesit të individuimit (individuimi nuk duhet ngatërruar me individualizmin; nuk ka të bëjë me vetë-pohimin, por me vetë-realizimin).
Jungu theksonte se Vetja ka një cilësi numinoze. Ajo shfaqet shpesh në ëndrra dhe vizione në forma që mbartin domethënie fetare: një plak i urtë, një fëmijë hyjnor, një rreth, një mandalë. Këto nuk janë vetëm simbole të hyjnores, por përjetime të hyjnores në korniza të psikës.
Parë nga prizmi fetar, Vetja përkon me konceptin e Hyjit brenda njeriut ose me atë që Shën Augustini e quante deus interior intimo meo. Në këtë mënyrë, Vetja është ekuivalenti psikologjik i së shenjtës, e shenjta imanente e ngulitur në kushtin njerëzor.
Dallimi nga egoja
Një keqkuptim i zakonshëm është barazimi i Vetes me egon. Egoja është selia e vetëdijes (identiteti, personaliteti ynë). Vetja, megjithatë, është një koncept mbizotërues, që do të thotë se e përfshin egon, por e tejkalon atë në mënyrë thelbësore.
Ndërkohë që egoja përpiqet për përshtatje dhe kontroll në botën e jashtme, Vetja është e orientuar drejt koherencës së brendshme dhe integrimit teleologjik. Në një zhvillim të shëndetshëm, egoja gradualisht e zhbën qendrën e saj dhe pranon vartësinë ndaj Vetes, e cila bëhet boshti i jetës psikike.
Vetja pra, është totaliteti i paradhënë i psikës dhe si e tillë ofron një paradigmë të tërësisë.
Është njëkohësisht psikologjike dhe numinoze, personale dhe transpersonale, simbolike dhe reale. Ajo është arketipi i tërësisë, imazhi i Hyjit të brendshëm dhe misteri i transformimit njerëzor. Në këtë kuptim, Vetja e Jungut nuk është një koncept statik, por një proces dinamik: një udhëtim i shenjtë në shtresat më të thella të ekzistencës njerëzore.