Kompleks
Në psikologjinë jungiane, fjala kompleks nënkupton një grumbull idesh, grumbull ky që është emocionalisht i ngarkuar, e që rrethon një teme arketipore dhe qëndron në pavetëdijen personale. Komplekset janë autonome. Ato mund të kenë kontrollin e psikës, të ndërhyjnë në vullnetin e egos dhe të shkaktojnë reagime emocionale të tepruara ose konflikte të brendshme që përsëriten.
Çdokush ka komplekse. Ato nuk janë simpotma të patologjisë vetvetiu, por blloqe të natyrshme dhe ndërtuese të psikës. Megjithatë, kur mbeten të pavetëdijshme, ato mund të bëhen shkatërruese, duke çuar në projeksione, kompulsione, neuroza apo modele jetësore që përsëriten.
Etimologjia
Fjala kompleks rrjedh nga fjala latine complexus, që do të thotë “i ngatërruar”, “i ndërthurur”
Nga com- (së bashku) + plectere (thur, gërshetoj)
Etimologjia e fjalës reflekton edhe natyrën e ngatërruar dhe të ndërthurur të një kompleksi; shumë elementë psiko-emocionalë të gërshetuar së bashku, të ngarkuar emocionalisht dhe shpesh të vështirë për t’u zbërthyer në mënyrë të vetëdijshme.
Origjina dhe formimi
Komplekset zakonisht formohen përmes përvojave emocionalisht të rëndësishme, veçanërisht atyre që përfshijnë trauma, neglizhencë, dashuri, tradhti ose dinamika të forta familjare. Kur një përvojë e fuqishme nuk mund të përpunohet plotësisht, ajo lë pas një gjurmë psiko-emocionale, e cila rezulton në kompleks.
Për shembull:
Kritika e përsëritur e prindit mund të formojë një kompleks inferioriteti, që minon ndjenjën e vetëvlerësimit.
Struktura e një kompleksi
Një kompleks ka si përbërës dimensionin personal dhe atë arketipor:
Shtresa personale përfshin kujtime, ndjesi dhe përvoja konkrete
Bërthama arketipore pasqyron një temë universale njerëzore (p.sh., arketipi i të Atit)
Autonomia e kompleksit
Një nga tiparet më të rëndësishme të kompleksit është autonomia e tij: mund të marrë nën kontroll vetëdijen si një “personalitet brenda personalitetit”. Kur një kompleks aktivizohet, një person mund të:
reagojë në mënyrë të tepruar
thotë ose bëjë gjëra për të cilat më pas pendohet
ndjehet “si dikush tjetër”
mbetet i bllokuar në konfliktin e tij të brendshëm
Për këtë arsye, Jungu i përshkruante komplekset si “mendje të vogla” apo “personalitete të ndara” brenda psikes së përgjithshme. Egoja mund të besojë se ka kontrollin, por një kompleks i fuqishëm mund të anashkalojë vullnetin e egos.
Zbulimi i kompleksit përmes asociacioneve
Puna e hershme e Jungut me testet e asociacioneve të fjalëve tregoi se disa fjalë nxitëse (p.sh., “nënë,” “dështim,” “vdekje”) shkaktonin ngurrime, gabime, ose reagime emocionale. Këto shenja tregonin për praninë e një kompleksi.
Roli i tyre në ëndrra dhe projeksione
Komplekset shfaqen shpesh në ëndrra si skena emocionalisht të ngarkuara, figura të ekzagjeruara ose tema dhe figura që përsëriten. Ato gjithashtu projektohen tek të tjerët, veçanërisht në marrëdhëniet e afërta, ku pjesë të papranuara të vetes shihen “jashtë”.
Për shembull:
Një person me kompleks viktimizimi mund të kërkojë pavetëdijshëm situata ku trajtohet padrejtësisht ose të interpretojë ndërveprime neutrale si kërcënuese.
Një kompleks nëne te një burrë mund ta shtyjë të idealizojë ose të urrejë gratë në mënyrë të pavetëdijshme.
Një person që përpiqet vazhdimisht të tregojë se është më i/e mirë ose më i/e pushtetshëm/pushtetshme se të tjerët, në të vërtetë po vepron nën ndikimin e një kompleksi të inferioritetit. Ai ose ajo thellë brenda vetes ndjehet si më pak i/e vlefshëm/e, por e maskon këtë ndjenjë me sjellje të ekzagjeruara të superioritetit.
Integrimi dhe shërimi
Qëllimi në psikologjinë jungiane nuk është të shkatërrohen komplekset, por të sillen në vetëdije, në mënyrë që të merren në konsideratë dhe të mos identifikohemi me to. Ky proces përfshin:
njohjen e shkëndijës emocionale si sinjal, jo si urdhër
kuptimin e dimensionit arketipor përtej dhimbjes personale
rivendosjen e egos në një pozicion të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm
Me vëmendje, reflektim dhe përfshirje simbolike (p.sh. përmes imagjinatës aktive ose analizës së ëndrrave), komplekset humbasin fuqinë e tyre për ta dominuar vetëdijen dhe shndërrohen në burime të njohjes së vetes.