Individuimi
Në psikologjinë jungiane, individuimi është proces që zgjat gjatë gjithë jetës, përmes të cilit një individ arrin në veten e tij autentike, të tërë dhe unike, duke integruar pjesët e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme të psikës.
Nuk ka të bëjë me të qenit individualist apo egocentrik, por me realizimin e potencialit të lindur psikologjik.
Individuimi kërkon diferencimin e egos nga pavetëdija dhe integrimin e përshkallëzuar të hijes, figurave të brendshme dhe në fund, të Vetes. Është një udhëtim psiko-shpirtëror, ku njeriu heq dorë nga identifikimet e jashtme dhe zbulon të vërtetën e vet simbolike.
Etimologjia
Fjala individuim vjen nga latinishtja:
in- (jo) + dividuus (i ndashëm, i ndarë)
Në kuptimin e saj literal: “gjendja e të qenit i pandarë”. Jungu e mori këtë term për të përshkruar shërimin e vetes së fragmentuar, rikthimin dhe ribashkimin e pjesëve të mohuara në një tërësi psikike koherente.
Elaborim
Individuimi është qëllimi kryesor i analizës jungiane dhe thelbi i psikologjisë analitike. Për Jungun, individuimi nuk ishte një luks apo një fantazi mistike, por një domosdoshmëri biologjike dhe shpirtërore e mbjellë në vetë strukturën e njeriut. Ashtu si trupi synon të rritet dhe të diferencohet, në fund të plaket dhe të finalizohet, edhe psika ka prirje të arrijë përfundimin e niveleve të saja në tërësi.
Jungu e shihte individuimin si një zhvillim natyror, por edhe si një detyrë të vetëdijshme: ai mund të ndihmohet, të pengohet, të shtyhet apo të shtrembërohet; por gjithsesi nuk mund të injorohet si proces, duke qenë se është universal dhe arketipor.
Procesi i individuimit
Individuimi përfshin disa faza të ndërlidhura:
Diferencimi i egos: Ndërgjegjësimi se egoja nuk është e gjithë vetja. Personi bëhet i vetëdijshëm për pavetëdijen si një realitet i gjallë.
Përballja me Hijen: Ballafaqimi dhe integrimi i aspekteve të shtypura, të mohuara apo moralisht “të ulëta” të vetes.
Integrimi i Animës/Animusit: Ndërveprimi me figurën e brendshme të gjinisë së kundërt, për të rikuperuar cilësi emocionale apo racionale të mohuara.
Dialogu me Arketipet: Ëndrrat, simbolet dhe imagjinata aktive sjellin energji mitike në vetëdije.
Bashkimi me Veten (Selbst): Një rilidhje simbolike dhe transformuese e egos me qendrën thelbësore dhe arketipore të psikës.
Nuk është një rrugë lineare, por një udhëtim spiralik, paradoksal dhe thellësisht personal, i mbushur me rezistencë, vuajtje, vetëdijësim dhe rilindje.
Individuimi nuk është izolim
Jungu e kundërshtonte fuqishëm idenë se individuimi nënkupton tërheqje nga shoqëria. Përkundrazi, një individ i cili po kalon nëpër fazën e individuimit është i aftë për marrëdhënie autentike, sepse nuk projekton më përmbajtje të pavetëdijshme tek të tjerët. Ai lidhet nga qendra e Vetes, jo nga një ego e fryrë apo e fragmentuar.
Individuimi mund të kërkojë periudha vetmie, por fryti i tij është integriteti dhe lidhja e sinqertë me të jashtmen.
Individuimi përballë konformitetit
Shpesh, individuimi fillon kur identiteti kolektiv dështon: kur personi kupton se pritshmëritë familjare, rolet shoqërore apo normat kulturore nuk e pasqyrojnë më të vërtetën e tij të brendshme. Është një largim nga përshtatja ndaj standardeve të jashtme.
Megjithatë, nuk ka të bëjë me fryrje egoje apo vetëlartësim. Një individ egocnetrik identifikohet me Veten, duke besuar se është “i veçantë” apo “i përzgjedhur”. Ndërsa individuimi i vërtetë pasohet rezulton në përulësi dhe përgjegjësi, duke e njohur natyrën numinoze të pavetëdijes.