Në përpjekjen për ta njohur psikologjinë si shkencë, u lind një pyetje themelore: a mund të vlerësohet dhe të analizohet psika njerëzore në mënyrë të ngjashme me fenomenet fizike, përmes konceptit të energjisë? Jungu, duke e trajtuar këtë çështje, thekson se çdo ngjarje psikike mund të shqyrtohet nga disa këndvështrime themelore: ai kauzal, që hulumton origjinën dhe shkakun e një përmbajtjeje; ai finalist, që fokusohet në qëllimin dhe funksionin që ajo përmbajtje përpiqet të përmbushë; dhe ai energjetik, që merret me intensitetin dhe lëvizjen e energjisë psikike që përfshihet në një përvojë të caktuar.
Sipas Jungut, zgjedhja e njërit këndvështrim ndaj tjetrit varet nga natyra e përmbajtjes dhe nga ajo se çfarë kërkojmë të kuptojmë. Në rastet kur theksi vendoset mbi qëllimin dhe domethënien e një përmbajtjeje (për shembull, në analizën e ëndrrave apo të simboleve) këndvështrimi finalist bëhet më i dobishëm, pasi synon të kuptojë drejtimin në të cilin lëviz psika, çfarë përpiqet të arrijë përmes përmbajtjeve që prodhon, dhe si këto përmbajtje shërbejnë si përgjigje ndaj nevojave të brendshme për transformim dhe ekuilibër.
Nga ana tjetër, kur interesi është të kuptohen mekanizmat e shpërndarjes së forcës psikike dhe ndikimi i tyre në strukturën dinamike të individit, theksohet këndvështrimi energjetik, i cili përpiqet të matë intensitetin me të cilin një përmbajtje e caktuar ndikon në vetëdije.
Kjo sjell një debat thelbësor: a është e mundur të shqyrtojmë ngjarjet psikike përmes një lenteje energjetike, siç bëjmë me ato fizike? Jungu përgjigjet po: në parim, psika mund të jetë objekt përvoje dhe analize objektive, dhe mund të studiohet në mënyrë shkencore, për aq sa përdoren koncepte të matshme dhe të verifikueshme në praktikë. Ai mbështet idenë e psikologut von Grot, i cili është ndër të parët që ka propozuar përdorimin e konceptit të energjisë psikike.
Sipas tij, energjia psikike është po aq e justifikuar në analizë sa ajo fizike. Ajo shfaqet në forma të ndryshme, mund të transformohet nga një gjendje në tjetrën dhe mund të ndikohet nga proceset mendore po aq sa ndikon në to.
Megjithatë, Jungu është i kujdesshëm në lidhjen e drejtpërdrejtë mes proceseve psikike dhe atyre fizike. Ai pranon se ka gjasa të ekzistojë një lidhje thelbësore mes dy fushave, por në mungesë të përvojave të mjaftueshme dhe të dhënave të verifikueshme, nuk mund të flitet me bindje autoritative për një marrëdhënie të tillë. Për këtë arsye, Jungu sugjeron që psikologjia nuk ka pse të ndalet ose të presë sqarime për këtë lidhshmëri. Ajo mund të trajtojë psiken si një sistem relativisht të mbyllur dhe autonom, i cili funksionon sipas ligjeve të veta të brendshme.
Në këtë kontekst, Jungu refuzon një nga teoritë më të përhapura të shekullit XIX: epifenomenalizmin, sipas të cilit psika është thjesht një efekt anësor i trurit; një produkt dytësor, njësoj si tëmthi që prodhohet nga mëlçia. Për Jungun, kjo pikëpamje është jo vetëm e vjetruar, por edhe reduktuese dhe e rrezikshme. Ai argumenton se faktet psikike nuk janë vetëm reflektime të ndodhive biologjike, por përbëjnë fenomene autonome, të lidhura mes tyre në mënyrë të brendshme dhe kuptimplote, dhe si të tilla, meritojnë të trajtohen si objekte të plota të vëzhgimit dhe analizës.
Kështu, duke e pranuar psiken si një sistem më vete, bëhet e mundur të flasim për energji psikike në mënyrë të lirë, pa u varur nga përkufizimet biologjike. Von Grot propozon tri ide themelore në lidhje me natyrën e kësaj energjie:
Energjitë psikike, si ato fizike, kanë sasi dhe intensitet;
Mund të transformohen në forma të ndryshme të funksionit psikik, si për shembull: përqendrimi, imagjinata, kujtesa, vullneti;
Ato mund të kthehen në energji fizike dhe anasjelltas, përmes proceseve fiziologjike.
Jungu heziton ndaj pikës së tretë: ai mendon se nuk kemi ende baza të mjaftueshme për të pohuar një konvertim të drejtpërdrejtë mes energjisë mendore dhe asaj trupore. Megjithatë, pranon se koncepti i energjisë psikike, në vetvete, është i dobishëm për aq sa ndihmon në kuptimin e dinamizmit të brendshëm të psikikës dhe për aq sa jep rezultate në praktikë.
Për ta ilustruar, mund të mendojmë rreth një personi që përjeton një krizë emocionale pas një ndarjeje të dhimbshme. Ai mund të ndiejë lodhje të thellë, paqëndrueshmëri emocionale, përhumbje në mendime, pagjumësi ose mungesë oreksi. Në gjuhën e përditshme thuhet se ai është "i rraskapitur emocionalisht", "i konsumuar", ose "e ka shteruar fuqinë". Këto shprehje janë mënyra intuitive për të përshkruar një formë harxhimi të energjisë psikike. Edhe pse nuk kemi një pajisje që të matë saktësisht sasinë e dhimbjes apo tensionit mendor, përvoja njerëzore na tregon se energjia emocionale është reale dhe e ndjeshme: ajo “shpenzohet” dhe ka nevojë të “ripërtërihet”.
Në fund, Jungu argumenton se ashtu si në fizikë, ku energjia kuptohet edhe pa u matur gjithmonë me saktësi absolute, edhe në psikologji energjia mund të funksionojë si një koncept teorik i vlefshëm. Por nëse nuk arrijmë të dallojmë shenja të qarta të saj dhe të vlerësojmë ndikimin që ajo ushtron mbi individin, atëherë koncepti mbetet i pavlefshëm.
Si përfundim, Jungu mbronë idenë se psika është një realitet i pavarur dhe i brendshëm dhe mund të kuptohet përmes një qasjeje dinamike dhe energjetike, pa u reduktuar në funksione biologjike të trurit. Ai e trajton njeriun si një qenie ku përmbajtjet psikike nuk janë vetëm përjetime kalimtare, por forma të ngarkuara me energji që lëvizin, transformohen, prodhojnë tension dhe kërkojnë kuptim.
Andaj, koncepti i energjisë psikike, për sa kohë që shërben për të kuptuar dhe orientuar përvojën e brendshme, mbetet një mjet i vlefshëm në analizën psikologjike, si një mënyrë për të matur fuqinë dhe intensitetin e asaj që ndodh në brendësinë e njeriut.
1. Jung, C. G. (1960). On the nature of the psyche (R. F. C. Hull, Trans.). Princeton University Press. (Original work published 1947)