Në psikologjinë analitike të Jungut, ndryshe nga psikoanaliza frojdiane, libidoja konceptohet si një energji e përgjithshme psikike. Lëvizjet e saj në drejtim të jashtëm (progresion) ose të brendshëm (regresion), përcaktojnë strukturën dhe funksionimin e jetës psikike. Në esenë e tij Progresioni dhe regresioni, pjesë e librit Mbi natyrën e psikës, Jungu thekson se këto lëvizje nuk janë vetëm përshkrime të gjendjeve mendore, por mekanizma funksionalë, të domosdoshëm si për përshtatjen sociale, ashtu edhe për procesin e individuimit.
Progresioni
Sipas Jungut, progresioni nënkupton “përparimin e përditshëm të procesit të përshtatjes psikologjike” (Jung, 1960). Ai mishërohet në përpjekjet e individit për të funksionuar në mjedisin shoqëror: për të zgjidhur probleme, për të përmbushur role dhe për të marrë vendime të përshtatshme ndaj rrethanave të jashtme. Përshtatja, megjithatë, nuk është një arritje e përhershme; ajo duhet të përtërihet në mënyrë të vazhdueshme, pasi mjedisi shoqëror dhe kulturor është në ndryshim të pandërprerë.
Ky proces përfshin dy faza:
1. formimin e një qëndrimi psikik
2. aktualizimin e tij në realitet
Një qëndrim psikik ka stabilitet të lartë, por pikërisht kjo qëndrueshmëri mund të shndërrohet në pengesë.
“Sa më i qëndrueshëm të jetë habitusi mendor i një njeriu, aq më pak e qëndrueshme do të jetë përshtatja efektive që ai arrin” (Jung, 1960). Pra, duke qenë se asnjë qëndrim nuk është në gjendje të përmbushë vazhdimisht kërkesat e realitetit, individi rrezikon të ngecë në situata ku mekanizmat e zakonshëm të përshtatjes bëhen të pamjaftueshëm.
Një ilustrim i qartë është individi që mbështetet kryesisht në funksionin ndjesor për të interpretuar botën. Në një situatë që kërkon arsyetim analitik, ky funksion shndërrohet në burim kufizimi. Jungu thekson: “Një qëndrim ndjesor që përpiqet të përmbushë kërkesat e realitetit përmes empatisë mund të hasë lehtësisht në një situatë problematike, e që zgjidhet vetëm përmes të menduarit” (1960). Në raste të tilla, rrjedha e libidos ndërpritet dhe individi përjeton një ngërç psikologjik, gjë që bllokon zhvillimin e zakonshëm të psikës.
Regresioni
Regresioni shfaqet kur progresioni dështon. Në momentin kur një qëndrim dominues nuk arrin më të përballojë realitetin, energjia psikike tërhiqet nga veprimtaria e vetëdijshme dhe orientohet drejt brendësisë. Jungu e përkufizon regresionin si “lëvizje e kundërt e libidos” (1960), por e dallon qartë nga kuptimi patologjik i termit, pasi regresioni shërben për të aktivizuar përmbajtje të pavetëdijshme të cilat mund të kompensojnë njëanshmërinë e qëndrimit të vetëdijshëm.
Këto përmbajtje, shpesh të karakterit irracional, arkaik ose problematik, nuk përfaqësojnë thjesht mbetje të pavetëdijes, por potenciale zhvillimore. “Ajo që regresioni sjell në sipërfaqe, në shikim të parë duket si llum… por gjithashtu mbart fara të jetës së re” (Jung, 1960). Kjo nënkupton se regresioni nuk është thjesht rikthim i përmbajtjeve të shtypura, por një mekanizëm që sjell në vetëdije funksione të papërdorura, duke i dhënë individit mundësi të reja për ekuilibër të brendshëm.
Nga pikëpamja energjetike, regresioni është rikanalizim i libidos. Jungu përdor metaforën e një përroi të bllokuar: energjia psikike “grumbullohet” kur rrjedha e saj normale pengohet, për t’u drejtuar më vonë në një kanal të ri. Në këtë mënyrë, intensiteti i progresionit të ndërprerë riparaqitet si intensitet i regresionit (Jung, 1960). Një funksion tjetër i regresionit është imponimi i përballjes së egos me përmbajtjet e pavetëdijes: imazhe, ndjenja dhe arketipe të shmangura.
Në qendër të teorisë jungiane qëndron bindja se funksionimi i shëndetshëm psikik kërkon ndërveprim të vazhdueshëm ndërmjet të kundërtave. “Impulsi dhe kundër-impulsi, pozitivja dhe negativja, duhet të arrijnë një gjendje ndërveprimi të rregullt dhe ndikimi të ndërsjellë” (Jung, 1960). Ky parim dialektik siguron fleksibilitetin e psikës dhe aftësinë e saj për përshtatje dinamike.
Në këtë kuptim, progresioni lind nga nevoja për përshtatje me botën e jashtme, ndërsa regresioni nga nevoja për përshtatje me botën e brendshme. “Njeriu nuk është një makinë… ai mund të përmbushë kërkesat e jashtme vetëm nëse është i përshtatur me botën e tij të brendshme” (Jung, 1960).
Këto lëvizje nuk duhet të ngatërrohen me nocionet e zhvillimit apo të rënies. Regresioni nuk nënkupton prapambetje për aq kohë sa mbetet proces i përkohshëm dhe funksional. Duke huazuar terminologjinë e Gëtes “sistolë” dhe “diastolë”, Jungu e përshkruan jetën psikike si një ritëm të domosdoshëm të kontraktimit dhe zgjerimit, të ngjashëm me ritmet fiziologjike të trupit.
1. Jung, C. G. (1960). On the nature of the psyche (R. F. C. Hull, Trans.). Princeton University Press. (Original work published 1947)